IPLS SERVICES

 


ADMINISTRATA
DHE
QYTETARET

I nderuar bashkëqytetar,

Nëse keni marrëdhënie të rregullta ose konflikte me administratën shtetërore për çështje të tilla si;

  • Nxjerrja e një license për veprimtari tregtare,
  • Nxjerrja e një leje ndërtimi,
  • Probleme me administratën tatimore ose doganore për vjeljen e taksave dhe tarifave doganore,
  • Vonesa të administratës në kthimin e përgjigjeve të kërkesave tuaja,
  • Keni patur probleme me administratën e sigurimeve shoqërore, pensioneve, asistencës sociale etj

Informacioni i mëposhtëm do t'u njohë me të drejtat që ju gëzoni ndaj administratës publike gjatë procedurave administrative.
FJALORTHI i fjalëve të shtypura në ngjyrë të kuqe në faqen e fundit të fletëpalosjes do t'ju ndihmojë për të kuptuar informacionin e dhënë.

A e dije që organet e administratës shtetërore janë të detyruara nga Ligja të të njoftojnë për çdo vendim të tyre që ka lidhje me ty?

Qytetarët kanë të drejtë të njoftohen për çdo akt administrativ i cili vendos lidhur me pretendimet e tyre; cakton detyrime ndëshkime për ta; vendos për krijimin ose për kufijtë e interesave të tyre, me përjashtim të rasteve kur qytetari ka marrë pjesë personalisht gjatë procedimit administrativ ose vendimi i është komunikuar gojarisht.

Administrata është e detyruar të bëjë njoftimin brenda 8 ditëve nga data e nesërme e marrjes së vendimit ose marrjes pjesë në procedimin administrativ, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon një afat të ndryshëm nga ky.

Njoftimi bëhet me anë të:
postës kur ka një shërbim postar të sigurtë në vendin e banimit ose të punës së qytetarit;
dorëzimit në dorë personalisht në rast se nuk dëmtohet shpejtësia e procedimit administrativ si dhe kur njoftimi me postë është i pamundur
telegramit, telefonit, faksit, teleksit kur rasti është urgjent. Njoftimi në këto raste duhet të vërtetohet me një njoftim tjetër me postë ose personalisht ditën e nesërme të punës nga njoftimi i parë
Fletores Zyrtare, gazetës së pushtetit vendor, ose dy gazetave më shumë të lexuara kur njoftimi i drejtohet një numri të madh ose të panjohur të interesuarish administrata është e detyruar të bëjë lajmërim publik si me anë në vendin e banimit ose të punës së të interesuarve.

Njoftimi duhet të përmbajë;
tekstin e plotë të vendimit ose një përmbledhje të përmbajtjes dhe objektit kur ai i ka plotësuar kërkesat e qytetarit ose ka caktuar marrjen e masave procedurale
emrin e personit përgjegjës për nxjerrjen e aktit si dhe
datën e nxjerrjes.
organin administrativ ku vendimi mund të apelohet kur akti nuk mund të apelohet në rrugë gjyqësore,
afatin kur mund të bëhet apeli.
(nenet 56, 57, 58, 59 dhe 60 - Kodi i Procedurave Administrative).

A e dije që Ligja të njeh të drejtën të informohesh për punët e administratës (qoftë edhe pa pasur një interes personal) dhe se për këtë mjafton të bësh një kërkesë me shkrim?

Administrata është e hapur për informacionet e kërkuara nga qytetarët. Qytetarët kanë të drejtë të informohen për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve të administratës shtetërore, dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore pa qenë të detyruar të tregojnë motivin e kësaj kërkese. Nëse informacioni i kërkuar për një dokument zyrtar kufizohet me ligj apo përbën sekret shtetëror, organi kompetent është i detyruar të bëjë një deklaratë me shkrim në të cilën të tregohen arsyet e mosdhënies së informacionit dhe rregullat në bazë të të cilave qytetari mund ta kërkojë këtë informacion.

Më konkretisht, qytetari ka të drejtën të informohet për:

1. procedura administrative në të cilat ka një interes të drejtpërdrejtë;
2. procedura administrative për të cilat provon se ka një interes të ligjshëm
3. dosjet dhe regjistrat e administratës.

Brenda 10 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës me shkrim, administrata duhet të informojë qytetarin për gjendjen e procedimit administrativ në të cilin ai ka një interes të drejtëpërdrejtë, organin administrativ kompetent si dhe vendimet e marra prej tij dhe çdo informacion tjetër. Këto të dhëna mund të merren edhe nga ata qytetarë të cilët megjithëse nuk kanë një interes të drejtpërdrejtë, bëjnë një kërkesë me shkrim dhe vërtetoinë me anë të dokumenteve interesin e tyre të ligjshëm lidhur me procedimin administrativ.

Gjithashtu, qytetari gëzon edhe të drejtat e mëposhtme (përvec rasteve të parashikuara në ligj si dhe kur informacioni i kërkuar përbën sekret shtetëror):

1. të inspektojë dosjet e disponuara nga administrata dhe të marrë vërtetime ose kopje autentike të këtyre dokumenteve,
2. të marrë vërtetime, brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës me shkrim për: datën e paraqitjes së aplikimeve, peticioneve, kërkesave, apelimeve ose dokumenteve të tjera të ngjashme; përmbajtjen e këtyre dokumenteve; gjendjen e procedimit administrativ si dhe vendimet lidhur me të.

Çdo qytetar ka të drejtë që pavarësisht nga procedimet administrative të njihet me dosjet ose regjistrat e administratës siç rregullohet me ligj të vecantë.
(nenet 51, 52, 53, 54 dhe 55 - Kodi i Procedurave Administrative si dhe nenet 3, 4 i Ligjit Nr. 8503, datë 30.06.1999 "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare")

A e dije që Ligja të njeh të drejtën të kërkosh përjashtimin nga vendimmarrja të punonjësve të administratës kur ke dyshime për paanësinë dhe ndershmërinë e këtyre të fundit?

Administrata Publike detyrohet nga ligji që në ushtrimin e funksioneve të saj të udhëhiqet nga ndershmëria dhe paanshmëria. Në funksion të kësaj qytetarit i garantohet e drejta për të kërkuar përjashtimin nga vendimmarrja të punonjësve të administratës në rastet kur

  • dihet ose dyshohet se punonjësi apo bashkëshorti ose të afërmit e tij: kanë një interes personal direkt apo indirekt në çështjen në fjalë ose çështje të ngjashme me të;
  • kanë marrë pjesë si ekspert, këshilltar apo avokat në çështjen në fjalë;
  • kundër tyre ka nisur një proces gjyqësor nga palët e interesuara;
  • janë kreditorë ose debitorë të palëve të interesuara;
  • kanë marrë dhurata nga palët e interesuara në procedimin administrativ ose lidhjen e kontratës;
  • kanë lidhje personale me palët e interesuara në procedimin administrativ.

Në rastet e parashikuara në ligj, kur kompromentohet paanshmëria e nëpunësit ai është i detyruar të bëjë deklarimin përkatës. Nga ana tjetër, edhe vetë qytetari mund të kërkojë skualifikimin e punonjësit, me anë të një kërkese me shkrim ku të jenë shpjeguar faktet që e motivojnë kërkesën. Eprori ose drejtuesi i organit kolegjial (kur përjashtimi kërkohet për një anëtar të organit kolegjial), brenda 5 ditësh marrin vendim për përjashtimin ose jo të nëpunësit nga procedimi administrativ.
(nenet 12, 37, 38, 39, 40, 41, 42, 43 - Kodi i Procedurave Administrative).


A e dije që Ligja të njeh të drejtën ti kërkosh administratës një vërtetim i cili të provojë dorëzimin dhe marrjen e letrës tënde?

Çdokush ka të drejtë ti drejtohet autoriteteve administrative nëpërmjet një kërkese apo ankese me shkrim. Ky vërtetim duhet të tregojë faktin e marrjes së letrës nga punonjësi i administratës si dhe listën e dokumenteve që i janë bashkëngjitur. Për më tepër zyrat e administratës shtetërore janë të detyruara të hapin një regjistër ku të regjistrojnë të gjitha letrat e ardhura nga publiku dhe ku të shënojnë datën e paraqitjes së kërkesës, objektin e saj, numrin e dokumenteve që i bashkangjiten dhe emrin e kërkuesit (nenet 72 dhe 73 - Kodi i Procedurave Administrative).

A e dije se të gjitha aktet, vendimet, kontratat e administratës që të drejtohen ty duhet patjetër të tregojnë qëllimin e tyre dhe të jenë të arsyetuara qartë?

Më konkretisht aktet administrative që të drejtohen duhet të përmbajnë:

  • Emrin e organit administrativ që nxjerr aktin;
  • Emrin e palëve të cilave iu drejtohet akti;
  • Shpjegimin e fakteve që janë bërë shkas për nxjerrjen e aktit;
  • Bazën ligjore të aktit;
  • Shpjegimin e kuptimit të aktit;
  • Datën e hyrjes në fuqi të aktit dhe
  • Nënshkrimin e punonjësit kompetent.

Edhe në rastet kur ligji nuk e ka parashikuar shprehimisht, akti duhet patjetër të përmbajë arsyet në rastet kur nëpërmjet aktit mohohen, shuhen ose kufizohen apo preken në ndonjë mënyrë tjetër të drejta dhe interesa të ligjshme.

Po kështu akti duhet patjetër të jetë i arsyetuar kur nëpërmjet tij vendosen mbi qytetarët detyrime ose ndëshkime; merret vendim në lidhje me kërkesat për shqyrtim ose apelim; vendoset kundër pretendimeve të palëve të interesuara ose në kundërshtim me një informacion apo propozim zyrtar; vendoset në ndryshim nga praktika e ndjekur për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme; revokohet; shfuqizohet ose modifikohet një akt të mëparshëm.

Aktet që dalin për zbatimin e akteve të tjera, siç janë ato për ratifikimin e vendimeve të bordeve, jurive apo komisoneve të ngritura nga administrata, ose urdhrat e eprorëve që kanë të bëjnë me çështje të brendshme të administratës nuk arsyetohen.

Arsyetimi i të dhënave duhet të jetë i qartë dhe jo kontradiktor në rast të kundërt akti në tërësinë e tij mund të quhet i pavlefshëm. Në çdo rast arsyetimi i aktit administrativ duhet të përfshijë shpjegimin e bazës ligjore dhe fakteve të aktit.

Kur përpara nxjerrjes së aktit janë dhënë informacione ose janë bërë propozime që japin arsyetime për aktin, pranimi i tyre në momentin e nxjerrjes së vendimit përfundimtar do të shërbejë si arsyetim. Në këtë rast informacioni konsiderohet pjesë përbërëse të aktit.

Akti verbal që pritet të apelohet, arsyetohet me shkrim dhe iu komunikohet palëve brenda 10 ditëve, me postë rekomande ose dorazi.
(nenet 105, 106, 107, 108, 109 dhe 110 - Kodi i Procedurave Administrative).

  • A e dije se edhe në procedimin administrativ, ashtu si në atë gjyqësor, ke të drejtë të përfaqësohesh nga një avokat, kujdestar apo person i autorizuar?

    Rregullat që rregullojnë përfaqësimin janë të njëjta me ato të parashikuara nga e drejta civile (neni 44 - Kodi i Procedurave Administrative).

  • A e dije se kur të drejtat e tua të përmendura më lart (dhe të tjera si këto) nëpërkëmben nga zyrtarë të administratës publike, ke të drejtën të ankohesh tek organi shkelës ose tek eprori brenda një muaji nga data kur ke marrë dijeni për faktin?

Qytetarët kanë të drejtë të ankohen kundër një akti administrativ ose kundër refuzimit të nxjerrjes së tij.

E drejta e ankimit mund të ushtrohet me anë të njëkërkese joformale e cila zakonisht merr formën e një shkrese që përmban të dhënat e mëposhtme:

  • organin administrativ të cilit i drejtohet;
  • gjeneralitetet, gjendjen civile, profesionin, vendbanimin e aplikantit;
  • shpjegime në lidhje me faktet rreth të cilave bëhet kërkesa,
  • si dhe kur është e mundur, bazen ligjore për këtë kërkesë;
  • shpjegime të qarta lidhur me pretendimet; datën dhe firmën e aplikantit apo të ndonjë personi tjetër ligjërisht të autorizuar prej tij.

Kjo kërkesë nuk ka asnjë efekt për pezullimin e fuqisë së aktit adiminstrativ, dhe të veprimit të afateve të tij. Qytetari nuk është i detyruar të presë ndonjë afat për paraqitjen e kërkesës joformale. Ai ka të drejtë që brenda 1 muaji të marrë një përgjigje të arsyetuar lidhur me kërkesën joformale.

E drejta e ankimit gjithashtu mund të ushtrohet me anë të një ankimi administrativ (formal). Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë revokimin, shfuqizimin, ose modifikimin e aktit administrativ, brenda 1 muaji nga dita kur ankuesi ka marrë njoftim për nxjerrjen ose mosnxjerrjen e aktit.

Paraqitja e ankimit administrativ e pezullon zbatimin e aktit administrativ me përjashtim të rasteve kur ai ka një rëndësi të veçantë sepse është i lidhur me veprimtari themelore shtetërore siç janë: mbledhja e taksave e tatimeve dhe të ardhurave të tjera buxhetore; masa policore; urdhërimi me ligj i ndalimit të pezullimit; interesa të rendit publik, shendetit publik apo interesa të tjera publike. Për secilin prej këtyre rasteve qytetari ka të drejtë të informohet për shkaqet e mospezullimit.

Ankimi administrativ duhet të përmbajë: emrin dhe adresën e ankimuesit; aktin administrativ të nxjerrë apo të refuzuar; shkaqet e ankimit; çdo dokument tjetër që vlerësohet si i rëndësishëm nga ankuesi.

Organi kompetent për shqyrtimin e ankimit administrativ është:

  • organi që e ka nxjerrë aktin administrativ të ankimuar ose që ka refuzuar t'a nxjerrë atë;
  • ose organi epror i këtij të fundit.

Organi epror e transferon dosjen përkatëse tek organi që ka nxjerrë/ refuzuar të nxjerrë aktin së bashku me udhëzimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes.

Organi i ngarkuar për shqyrtimin e aktit administrativ mund të pranojë kërkesën e ankimit dhe sipas rastit të vendosë:

  • lënien në fuqi të aktit administrativ dhe rrëzimin e ankimit;
  • shfuqizimin ose revokimin e aktit administrativ dhe pranimin e ankimit;
  • ndryshimin e aktit administrativ duke e pranuar pjesërisht ankimin;
  • detyrimin e organit administrativ kompetent për të nxjerrë aktin administrativ kur është refuzuar nxjerrja e tij.

Gjithashtu organi kompetent mund të vendosë për mospranimin e kërkesës në rastet kur bëhet për akte të cilat për nga natyra janë të paankimueshme; kur afatet kohore për ankimin kanë përfunduar; kur organi gjykon që në pamje të parë se akti administrativ është i vlefshëm.

Cdo qytetar i tretë, interesat e të cilit cënohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shfuqizimi, revokimi ose modifikimi i aktit administrativ që ankimohet, ka të drejtë të njoftohet për procedimin administrativ dhe të marrë pjesë në të duke parashtruar pretendimet e tij.
(nenet 135, 136, 137, 138, 139, 140, 141, 142, 143, 144, 145 dhe 146 - Kodi i Procedurave Administrative).

GLOSSARY

Procedimi Administrativ : Me procedim administratim do të kuptohet tërësia e veprimeve që nga depozitimi i kërkesës individuale deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga administrata.

Akti administrativ : Akti administrativ është shprehje formale e vullnetit shtetëror për rregullimin e një marrëdhënieje të caktuar juridike.

Sekret Shtetëror : Me sekret shtetëror do të kuptohet çdo dokument administrativ i cili klasifikohet si sekret nga titullari i institucionit të administratës publike me qëllim.

Aplikim : Eshtë kërkesa individuale për kërkimin e një shërbimi nga ana e administratës publike.

Peticion : Eshtë kërkesa kolektive për kërkimin e një shërbimi nga ana e administratës publike.

Apelim : Eshtë ankimi përpara një instance më të lartë për vendimin e një instance më të ulët të administratës publike.

Organ kolegjial : Eshtë ai organ i administratës publike i cili përbëhët nga më shumë se një anatër dhe vendimet e të cilit merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.

Revokim : Eshtë tërheqja nga ana e organit administrativ të nëj akti të nxjerrë prej atij vetë në një kohë të mëparshme.

Akti (administrativ) verbal : Eshtë një komunikim gojor i vullnetit shtetëror.


[Previous] [Contents] [Next]

Institute for Policy & Legal Studies 2001